·
A duhet të blej apo të rri me qira?
Blerja e një
prone mund të jetë vërtet një investim i madh. Kjo do të thotë që ndoshta për
disa, marrja me qira e shtëpisë së tij mund të jetë një opsion më i përballueshëm.
Por në situatën aktuale të tregut të financimit bankar, interesat gjithmonë e
me kompetitive, e kanë bërë blerjen një proces jo dhe aq të paarritshëm.
Aktualisht interesat e kredive bankare lekunden nga 2% - 4.5% ne vit, keshtu qe
duke konsideruar nje mesatare prej 3-3,5%, blerja duket mjaftueshem me interes
dhe e perballueshme, duke marrë parasysh që në fund të këtij procesi, prona
mbetet e jotja.
E rëndësishme
është të thuhet që, për sa kohë nuk ka taksa shtesë për shtëpinë që kemi në zotërim,
edhe mbajtja e saj, pas blerjes, mbetet e përballueshme.
·
A duhet të flas me bankën para se të kërkoj për shtëpi?
Përgjigjia është
PO! Duhet të masni forcat tuaja duke ditur sa ju financon banka. Sqaroni idetë
duke ndarë dëshirën nga mundësia e duke kuptuar sa mund t’i lejoni vetes. Nuk
ka arsye të shikoni për shtëpi 100.000 euro kur banka ju financon vetem 70.000.
Nga ana
tjeter, duke kuptuar si funksionon mekanizmi i kredisë, do të dini cilat janë
kostot e tjera që lidhen me të, duke filluar nga parapagimi (bankat financojnë
vetëm 70-80% të shumës së blerjes, pjesën tjetër duhet ta keni vetë),
siguracione, kosto ligjore etj.
A më duhet një Konsulent
imobiliar për të gjetur shtëpinë time?
Është e vërtetë!
Nganjëherë të paguash dikë për të bërë atë që ti mendon se e bën vetë më mirë,
duket vërtet e tepërt, në një proces që kërkon shpenzime vërtet të mëdha. Përse
të mos kursejmë? Ato para i përdorim për lavatriçen…!
E pra, edhe
pse ideja e përgjithshme është që shpenzoni më kot për këtë shërbim, Konsulenti
imobiliar mund t’ju kursejë shumë para. Ai njeh tregun, di sa është shitur
prona ngjitur me atë që ti do të blesh, është i papërfshirë emocionalisht dhe
prandaj negocion me gjakftohtësi dhe profesionalizëm.
·
Kush paguan komisionin e agjensisë?
Në tregun
imobiliar shqiptar, shitësi paguan 2-3% të shumës së shitjes, ndërsa blerësi
paguan 1% të shumës së shitjes.
·
Cilat janë çmimet e zonës?
Një blerës
zgjedh pothuajse gjithmonë të blejë shtëpinë e radhës në zonën ku ai ka jetuar
deri në atë moment, të cilën e njeh mirë e me të cilën është i lidhur
emocionalisht. Të gjithë shkojmë drejt të njohurës, e panjohura është pak vështirë
të pranohet. Për këtë arsye, një nga të paktat ide të qarta që ata kanë kur kërkojnë
një shtëpi, është zona. Pyetja më e shpeshtë që bëjnë lidhet me çmimin e zonës,
me shitjet që janë kryer në zonën e tyre të interesit. Kjo ju ndihmon të
kuptoni cilat janë mundësitë tuaja dhe për këtë, më mirë se konsulenti
imobiliar, nuk mund t’ju informojë askush!
·
Sa prona duhet të shoh përpara se të vendos?
Nuk ka një përgjigje
të duhur për këtë pyetje. Nëse Blerësi është i qartë në idetë dhe mundësitë e
tij dhe bashkëpunon me një Konsulent të zot imobiliar, ky i fundit është i aftë
t’i ofrojë minimalisht 4-5 prona që përkojnë me dëshirën dhe pritshmërinë e
blerësit dhe mendoj që ky është një numër i mirë për të krijuar një ide të qartë
e për të bërë zgjedhjen e duhur. Të vizituarit e më shumë pronave vetëm ngatërron
idetë dhe e bën më të vështirë vendimarrjen.
·
Si funksionon procesi i shitblerjes?
Një nga
pyetjet më të shpeshta është çfarë ndodh pasi pranohet oferta e palët bien
dakord për çmimin dhe kushtet e blerjes.
Palët i
drejtohen zyrës noteriale së cilës i parashtrojnë kërkesat e tyre në lidhje më
kushtet e kontratës së shitblerjes. Zakonisht Noterin e zgjedh Blerësi. Noteri
ka për detyrë të kontrollojë origjinën e pronës, të bëjë rifreskimin e
dokumentit të pronësisë për të parë nëse prona është e lirë nga barra apo
detyrime, të hartojë kontratën e shitblerjes sipas kushteve për të cilat palët
kanë rënë dakord.
Pas firmosjes
së kontratës së shitblerjes, Blerësi depoziton shumën e blerjes në llogarinë e
noterit, shumë e cila mbetet e bllokuar në atë llogari deri në ditën e daljes
së certifikatës së re të pronësisë në emrin e tij.
Bëhet
aplikimi ne hipotekë për kalimin e pronësisë së apartamentit në emër të
blerësit dhe aplikimi për nxjerrjën e certifikatës së re të pronësisë. Këto dy
veprime mund të bëhen nga vetë Blerësi, por edhe nga Noteri përkundrejt një
tarife shtesë prej 5.000 lekë të reja.
Pas daljes së
çertifikatës së re të pronësisë në emër të Blerësit, Noteri kalon shumën në
llogarinë bankarë të shitësit dhe transaksioni quhet i mbyllur me sukses! Nuk
ju ngelet veçse ta gëzoni shtëpinë e re!!!